Secondary Adv

1.65 mld lekë për doganat deri në 2030, investime në sisteme, digjitalizim dhe trajnim stafi

Strategjia e re 2025–2030 për modernizimin e sistemeve doganore parashikon mbi 1.65 miliardë lekë investime për digjitalizim, sisteme të reja IT dhe trajnime të stafit, me synim harmonizimin e plotë me BE-në.

Dokumenti i ri, një plan transformimi teknologjik

Strategjia 2025–2030 për Modernizimin dhe Harmonizimin e Sistemeve të Informacionit Doganor, e botuar në Fletoren Zyrtare, synon transformimin e plotë digjital të doganave shqiptare dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Europian. Dokumenti shoqërohet me një plan të detajuar veprimi dhe kosto vjetore që mbulojnë zhvillimin e sistemeve, investimet në infrastrukturë dhe trajnimin e stafit.

 

Investime të thelluara në sisteme të reja dhe siguri kibernetike

Pjesa më e madhe e fondeve shkon për projekte teknologjike të detyrueshme nga legjislacioni i BE-së, si ICS2 për kontrollin e importit, NCTS për tranzitin kompjuterik, AES dhe AIS për deklarimet e eksportit dhe importit, CRMS2 për menaxhimin e riskut, si dhe modulet REX, AEO, EORI2, TARIC, TQS e ECICS. Ndër investimet kryesore janë edhe arkitektura e re kombëtare IT për doganat, sistemet e brendshme mbështetëse, qendrat e të dhënave, siguria kibernetike dhe krijimi i një qendre rezervë për rikuperimin e shpejtë të sistemeve.

 

1.65 miliardë lekë kosto totale, pjesa më e madhe financim shtetëror

Kostoja totale e strategjisë kap vlerën 1.65 miliardë lekë, nga të cilat mbi 1 miliardë financohen nga buxheti i shtetit. Rreth 628 milionë lekë mbulohen nga donatorët, kryesisht programet IPA III të BE-së dhe projektet e Bankës Botërore. Investimet përfshijnë zhvillim aplikacionesh, licenca të detyrueshme, serverë, pajisje fizike, siguri kibernetike, mirëmbajtje dhe përditësime.

 

Fokus te stafi: certifikime dhe trajnime në standardet e BE-së

Aktualisht parashikohet që rreth 10% e buxhetit të shkojë për certifikim dhe trajnim të stafit, në përputhje me kërkesat e DG TAXUD për profesionistë të kualifikuar në sisteme doganore, menaxhim risku dhe siguri kibernetike. Strategjia kërkon ngritjen e kapaciteteve për të përdorur platforma të avancuara dhe për të menaxhuar projektet komplekse të teknologjisë së informacionit.

 

Përfitime për biznesin dhe administratën doganore

Zbatimi i plotë i strategjisë pritet të sjellë ulje të kohës së zhdoganimit, rritje të transparencës, reduktim të kostove për bizneset, si dhe forcim të kontrollit ndaj kontrabandës. Integrimi me sistemet e BE-së është thelbësor për lëvizjen e mallrave, rritjen e sigurisë në kufi dhe përgatitjen e vendit për proceset e anëtarësimit.

 

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat